Basha qartëson çështjen Partizani: Ja ndryshimet mes Panuçit dhe Rejas

Truri i mesfushës së Kombëtares, Migjen Basha doli sot para mediave në prag të takimit që Shqipëria ka ndaj Islandës pak ditë më vonë në transfertë ku edhe sqaroi çështjen që e lidh Bashën me Partizanin ndërkohë që ka bërë edhe një krahasim mes Panuçit dhe Edi Rejas.

“Dua të them që ai lajm që doli është rastësi. Bëmë vetëm një foto me çunat e Partizanit. Nuk është asgjë e vërtetë. Kam 1 vit kontratë me Arisin dhe klubi nuk më ka thënë që do largohem. Çdo lojtar ka qejf të luajë në Champions, por nuk mundem që unë të jem pjesë e Partizanit kur kam kontratë me Arisin. Nuk mundem të them diçka më shumë.

Nuk mund të them që kam dëshirë, kur kam edhe 1 vit me Arisin, se krijoj probleme. Nuk besoj se do vazhdojë bisedimet. Ka qenë vetëm një rastësi, që bëmë foto me çunat e Partizanit.

Nuk jemi të gjithë të grumbulluar dhe me trajnerin Reja jemi më të lirë. Ishte ndryshe me Panuçin. Nuk po e bëj fajtor, por Reja të lë më të lirë. Për momentin është kështu por do të shohim edhe në bazë të rezultateve pasi nëse nuk fitojmë do të ketë probleme.

Është ndryshe. Panuçi vendosi rregulla të rrepta. U munduam t’i respektonim. Nuk e di a ishin pozitive apo negative. Për Rejën për  momentin është ndryshe. Nuk ja vë gjithë fajin Panuçin. Rregullat duhen respektuar.

Ne jemi profesionista dhe nuk duhet të marrim lehtë asnjë ndeshje. Jemi në Kombëtare dhe jo në klube. Miqësoret në fund të qershorit i kemi pasur dhe kemi bërë mirë e në disa jo. Ishin disa mungesa dhe Panuçi bëri disa teste që nuk ecën mirë.

Reja është më ekspert. Nuk e dimë si do të luajmë por Reja është më ndryshe ka eksperiencë dhe ka të tjera raporte me lojtarët. Kur të grumbullohemi të gjithë do të shohim më shumë. Duhet rezultat pasi kundër Turqisë na ndryshoi plani dhe duhet të bëjmë pikë ndaj Islandës dhe Moldavisë. Me sa kam kuptuar ka humbur entuziazmi dhe duhet ta rikthejmë të gjithë së bashku”, tha Basha. /Erjon Allaraj-VipSport.al/