Bardhi: Flamurtari kockë e fortë, ndaj tyre duhet të dalim nga vetja

Patrik Bardhi ka qenë një nga emrat më të spikatur të kësaj pjese të dytë sezoni në radhët e Kastriotit. Mesfushori i krutanëve ka spikatur si një nga talentet më interesantë që kanë luajtur rregullisht në radhët e kësaj skuadre dhe normalisht për të ka nisur edhe i interesimi i klubeve të tjera.

Por lojtari duket i përqendruar te Kastrioti dhe nuk mendon për të ardhmen përtej këtij sezoni. Ai shprehet se është i fokusuar te ndeshja e radhës e ekipit të tij, ndaj Flamurtarit, të cilin e sheh si një kundërshtar shumë të rrezikshëm sepse luan pa asnjë lloj trysnie.

“Është e vërtetë, Flamurtari është kockë e fortë siç e ka treguar në ndeshjet e fundit. Edhe pse kanë pasur probleme me sa kam dëgjuar, prapë kanë treguar se janë një ekip  me cilësi shumë të mira dhe nuk kanë objektiv si ne. Ne kemi objektiv mbijetesën, ata luajnë më lirshëm dhe kjo do të ndikojë goxha. Por ne do të bëjmë më të mirën tonë për të marrë tri pikët, kjo është ndeshja ku të gjithë duhet të dalin disi nga vetja, të bëjmë më shumë se maksimumin se janë tre pikë që na duhen, janë të domosdoshme, do jetë për jetë a vdekje për ne dhe duhet t’i marrim  patjetër pikët’, tha ai për RTSH.

Sipas tij, lufta për mbijetesë nuk është mbyllur ende, ndërsa vetëm pasi të mbyllet sezoni dhe të mësojë fatin e Kastriotit, do të mendojë edhe për të ardhmen e tij. “Realisht është shumë e vështirë, por ende nuk ka mbaruar asgjë, do të japim më të mirën tonë. Jam shumë i lumtur si çdo futboll që ka kërkesa në fund të sezonit. Ndjehem i lumtur, por e kam mendjen akoma te Kastrioti, nuk kemi përfunduar sezonin akoma, do të bëjmë maksimumin në ndeshjet e mbetura e pastaj të shohim për të ardhmen”, deklaroi Bardhi. /vipsport.al/