Barazoi në shtëpinë e Juves dhe afroi Champions, Gjimshiti: Shpresonim të fitonim

Berat Gjimshiti ka dhuruar një tjetër paraqitje pozitive me Atalantën, duke korrigjuar gabimin që bëri në finalen e Kupës së Italisë. AI ishte thuajse i pakalueshëm në sfidën ndaj Juventusit në Torino, e cila mbaroi në barazim dhe afroi më shumë Atalantën me pjesëmarrjen historike në Ligën e Kampioneve.

Megjithatë, mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare insiston se skuadra hyri në fushë për të fituar këtë duel, edhe pse barazimi në shtëpinë e Juventusit nga shumëkush mund të cilësohet i mirë.

“Shpresonim për një fitore, jemi paraqitur shumë mirë në pjesën e parë. Ata kishin vetëm një rast me Ronaldon, pastaj ne patëm disa raste për të shënuar. Nuk dolëm mirë në fushë në pjesën e dytë, mbetëm të mbyllur shumë në fushën tonë”, tha ai.

Gjithsesi, Atalanta me një fitore në ndeshjen e fundit ndaj Sasuolos mund të blindojë praninë në katërshe. “Edhe sot deshëm të fitonim, i njohim cilësitë tona. Arritëm të merrnim një pikë, tani të mendojmë për Sasuolon. Nuk do të jetë e lehtë dhe e kemi parë kundër Romës. Do të jetë në dorën tonë të tregojmë se kush jemi”, tha ai pas sfidës për mediat italiane. /vipsport.al/