Balaj mbyll aventurën në Rusi, Akmat Grozni nuk rinovon me sulmuesin shqiptar

Aventura e Bekim Balajt në kampionat rus me skuadrën e Akmat Groznit duket se i ka ardhur fundi. Sulmuesit shqiptar nuk i është ofruar rinovimi nga klubi, teksa kontrata skadonte në fundin e sezonit.

Balaj e nisi mirë pjesën e dytë të sezonit ku gjeti rrugën e rrjetës në tre raste, megjithatë kjo nuk ka mjaftuar, teksa shkodrani nuk arriti të ishte një lojtar bazë i formacionit duke startuar shpeshherë nga stoli. Ndërkohë, ishte vetë klubi i Akmat Groznit që nëpërmjet rrjetit social të Twitter, njoftoi ndërprerjen e bashkëpunimit me Balajn. 28-vjeçari ka qenë pjesë e Groznit prej vitit 2016, teksa u transferua nga Rijeka.

Tashmë sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë duhet të mendojë për një sistemim të ri për të vazhduar karrierën. Ndërkaq, në organikën aktuale të Akmat Groznit janë edhe dy shqiptarët, Odise Roshi dhe Bernard Berisha.

/EgiCabeli-VipSport.al/