Babai i Leos me fjalë zemre: Shpresoj që të jesh lumturuar edhe ti, më kujtohesh te pankina

Pak muaj më parë, derbi mes Tiranës dhe Partizanit u zbeh jo pak duke qenë se një nga tifozët më të famshëm të Partizanit, Leo Cara ndërroi jetë vetëm pak orë para ndeshjes. Figura e tij u respektua si rrallë herë edhe nga tuifozët kundërshtarë dhe për më tepër, nga “Tirona Fanatics”.

Tifozi i vogël i Partizanit, nuk arriti që të shihte skuadrën e zemrës teksa u shpall kampion, por Partizani ka një tifoz më tepër, që për ta feston nga lart. Babai i tifozit, Dashi Cara nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka postuar foto të ndryshme të tifozit si edhe një dedikim me fjalë zemre për të birin e tij.

“Sot është dita ime më e lumtur biri im, Partizani ngre trofeun e shumë munguar. Shpresoj që edhe ti biri im të festosh dhe në atë botë që Partizani u shpall kampion. Zoti na ndau fizikisht engjëlli i babit. Do të jem aty gjithmonë deri sa fryma të më ndalojë, do jem aty te shkallët e stadiumit ku bashkë gjithmonë shikonim Partizanin. Më kujtohesh gjithmonë me karrocën tënde biri im aty te cepi i pankinës duke buzëqeshur. I lutem zotit që të jesh gëzuar edhe ti për këtë trofe të kaq shumë pritur, babi do të të kujtoj gjithmonë aty te vendi ku t’i qëndroje gjithmonë”, shkruhej në postimin e babait të Leos. /Erjon Allaraj-VipSport.al/