AUDIO / Telefonata ogurzezë e Emiliano Sala: Nuk dua të shkoj te Kardif, u interesojnë vetëm paratë

Bota e futbollit u trondit në muajin janar kur në një aksident ajror humbi jetën sulmuesi argjentinas Emiliano Sala, pas ditë pasi kishte firmosur për klubin e Kardif dhe po udhëtonte drejt Uellsit që të vazhdonte karrierën atje. Ndërsa vazhdon ende lufta mes dy klubeve për pagesën apo jo të kartonit të futbollsitit i cili nuk veshi asnjëherë fanellën e Kardif, në skenë del një mesazh audio që Sala i ka dërguar një familjari më 6 janar, dy javë para se të ndodhte aksidenti tragjik mbi La Mansh.

“L’Equipe” ka publikuar këtë mesazh zanor, në të cilin ish-lojtari argjentinas bënte të qartë se nuk ishte shumë i lumtur që po shkonte te Kardif dhe se më shumë kishte qenë një vendim që ia kishte imponuar presidenti i Nantës, Valdemar Kita.

Ai kritikonte këtë të fundit hapur se shqetësohej vetëm për paratë dhe jo për të ardhmen e tij futbollstike. Në këtë audio, ai tregoi gjithashtu se i kishte kërkuar menaxherit të tij që t’i gjente ekip tjetër.

“Nga ana e tyre kanë negociuar për të fituar shumë para. Ata duan medoemos që të largohem. Është kontratë e mirë, por nuk është interesante nga ana sportive për mua. Meisa (menaxheri) i ka thënë jo Kardif sepse nuk do që të shkoj aty. Ai mendon se në aspektin sportiv e financiar jam në pozicon të mirë por mua më duhet një gjë interesante. Megjithatë, nuk dua të flas me Kita që të mos nervozohem. Ai është një person i cili nuk më pëlqen kur gjendem përballë tij. Ai do që të shkoj te Kardif se ka fituar një supernegociate, do që të largohem dhe as më ka pyetur. Nuk i intereson asgjë veç parave”, degjohet në audion e Sala.

Një audio ogurzezë kjo, pasi nëse do të ishte respektuar dëshira e futbollistit, transferimi te Kardif nuk do të ishte kryer e do të ishte shmangut kjo tragjedi për të cilën fajësohen të dy klubet të cilat kishin qenë në një mënyrë apo një tjetër dakord që Sala të udhëtonte me avionin i cili më pas u rrëzua në det. /vipsport.al/