Asisti i Uzunit nuk mjafton, ish-sulmuesi i Kukësit e lë jashtë Europës

Myrto Uzuni nuk do të ketë mundësi këtë verë që të tregojë vlerat e tij në kompeticionet ndërkombëtare, pasi tashmë Lokomotiv Zagreb edhe matematikisht nuk ka më të garantuar pjesëmarrjen në aktivitete të tilla. Sot ishte shansi i fundit i kësaj skuadre për të mbajtur gjallë shpresat për të siguruar të paktën vendin e katërt në kampionat, por nuk ia ka dalë pas barazimit 1-1 në transfertën ndaj Slaven Belupo, edhe pse sulmuesi shqiptar ishte përsëri protagonist.

Në një ndeshje që duhej fituar medoemos, sidomos pas asaj sfide të humbur thellë me shifrat 4-0 ndaj Osijek, për skuadrën e Uzunit nuk kishte alternativë tjetër veç sulmit. Por ata nuk arritën të gjenin rrjetën dhe pësuan gol me një penallti në minutat e para të pjesës së dytë.

Ndëshkuesi nga pika e bardhë ishte një emër i njohur për futbollin shqiptar, ish-sulmuesi i Kukësit, Mateus Lima, i cili në këtë sezon është kthyer në një nga elementët kryesorë të skuadrës së Slaven Belupo.

Megjithatë, për të kthyer fatin e ndeshjes e për të siguruar të paktën një barazim në këtë duel mendoi Uzuni, i cili në minutën e 79-të të ndeshjes dha pasimin për Drozhdek, i cili e shtyu topin në rrjetë duke vulosur shifrat 1-1. Me këtë pikë të sotme, Lokomotiv Zagreb ngjitet në kupton e 49 pikëve, 7 larg Osijek të vendit të katërt kur mbeten edhe 2 ndeshje për t’u luajtur në kampionat, gjë që e bën të pamundur matematikisht pjesëmarrjen në Europë për skuadrën e sulmuesit shqiptar. /vipsport.al/