Arroganca e tepruar e Pike: Duhej të fitonim gjithçka, sidomos kundër Valencias

Zherard Pike ka qenë ai që është shfaqur sot para mediave për të justifikuar humbjen e paparashikuar të Barcelonës në finalen e Kupës. Një nga veteranët e katalanasve, Pike argumentoi se kjo sfidë duhej të kishte pasur një fund tjetër nga ajo që dhuroi pas 90 minutave duke dorëzuar trofeun në duart e Valencias.

“Ata erdhën tre herë në portë dhe na shënuan 2 gola. Më pas u mblodhën në mbrojtje, kishim raste në këtë ndeshje për të shënuar. Jam i lumtur për mënyrën se si reagoi ekipi dhe mund të barazonim. Valencia e meritoi dhe për ne ka qenë një vit i mirë, siç mund të quhet kur fiton kampionatin.

Por ishin pritshmëri që do të bënim nëj vit më të mirë dhe nuk ishte ashtu. Tani nuk na shqetëson e ardhmja e trajnerit, të gjithë duhet të bëjmë analizë individuale për problemet që kemi shfaqur. Kur humbet nuk ka asnjë lloj justifikimi, jemi Barcelona dhe jemi të detyruar të fitojmë gjithçka, aq më shumë kundër Valencias. Tani nuk na mbete veç t’i urojmë dhe të provojmë gjithçka përsëri vitin e ardhshëm”, tha Pike, një deklaratë që ka acaruar tifozët valencianë që nuk kanë pëlqyer nënvlerësimin që i  bëri ai ekipit. /vipsport.al/