Arrigo Saki për triumfin e Milanit në Barcelonë: Skuadra më e fortë e historisë!

Nesër është 30-vjetori i fitimit të Kupës së Kampionëve nga Milani kundër Steaua Bukuresht në Barcelonë. Në finalen e paharrueshme të “Camp Nou” më 24 maj 1989, dygolëshat e Gulit dhe Van Basten i dhanë Milanit trofeun me veshë të mëdhenj, pas fitores 4-0. Parë atë ndeshje ka folur trajneri i Milanit të asaj kohe, Arrigo Saki.

Mister, çfarë kujtimesh keni nga ajo mbrëmje magjike?

Ishte një mbrëmje e pabesueshme. Ishte fitorja ime më e bukur. Milani nuk e fitonte Kupën e Kampionëve prej 36 vitesh dhe isha shumë entuziast për atë sukses. Ishte vërtet si një eksod biblik nga ana e tifozëve tanë. Kurrë më parë aq njerëz nuk kishin ndjekur një ndeshje jashtë fushë. Në stadium ishin rreth 90 mijë njerëz dhe thuajse të gjithë ishin milanistë, kjo edhe për faktin se Rumania nuk i lejoi tifozët e Steauas ta ndiqnin këtë ndeshje në Spanjë.

Si ishte atmosfera para ndeshjes?

Tifozët tanë ishin thuajse të sigurt se do të fitonim, sidomos pas gjysmëfinales së jashtëzakonshme kundër Realit, që e mundëm në “San Siro” 5-0. Suksesi ynë ishte i prekshëm dhe futbollistët ishin të bindur për fitore.

A është ai Milani më i fortë i të gjitha kohërave?

Pa dyshim. Është skuadra më e mirë në botë që ka ekzistuar ndonjëherë. Nuk e them unë këtë. Pas fitores sonë, “L’Equipe” shkruante: ‘kjo ndeshje është e destinuar të ndryshojë historinë e futbollit’. Ne nuk kënaqeshim vetëm nga fitorja, sepse donim edhe të argëtoheshim dhe të jepnim spektakël. Jo rastësisht kemi marrë vlerësime të mëdha. “France Football” më vonë më futi në vend të tretë të trajnerëve më të mirë të të gjitha kohërave. Një kënaqësi e jashtëzakonshme.

Cili ishte sekreti i asaj skuadre?

Ishte një ansambël perfekt kampionësh dhe shumë entuziazëm. Një skuadër, që nuk mjaftohej duke pësuar pak gola, por krijonte lojë dhe shumë raste për shënim, pasi kishte lojtarët të shkëlqyer, që e interpretonin bukur këtë stil loje. Ishte një Milan i fortë se ai që bëri bis vitin e ardhshëm kundër Benfikës në Vjenë.

Ju e keni ndryshuar mentalitetin e futbollit tonë…

Në Itali sot janë disa skuadra që arrijnë të shprehen mirë, të luajnë futboll të bukur. Por në çdo rast taktika është e bazuar te mbrojtja. Për fat të keq, jo të gjithë luajnë futboll sulmues, me kurajë dhe që të dhurojë emocione. / Vipsport.al