Apeli i Shehit: Të luajmë me mend në kokë, luftojmë në të dy frontet për Europën!

Trajneri Orges Shehi, ka besim se skuadra e tij do të bëjë një ndeshje të madhe nesër në stadiumin e Korçës, ku do të kërkojë kualifikimin për në finale. Skënderbeut i duhet të fitojë pa pësuar gol që të kalojë më tej dhe trajneri Shehi ka bërë apel për të luajtur me mend në kokë:

“Luajmë me një skuadër të fortë dhe pretendente për të fituar trofeun, ashtu si edhe ne. Por do të bëjmë maksimumin për të kaluar me tej. Duhet të luajmë me mend në kokë, pa kaluar në aventurë, sepse kupa e ka këtë specifikë, që një gol në fushë kundërshtare të hap shumë punë. Duhet shumë kujdes, duhet të bëjmë lojën tonë dhe të jemi dominues ndaj kundërshtarit. Gjendja e ekipit është e mirë. Ana fizike mund të ndikojë, por do të bëjmë ç’është e mundur të menaxhojmë forcat.

E rëndësishme është që i gjithë kontigjenti është i plotë. Premiot nuk kanë munguar edhe më parë. Ky është një vlerësim nga ana e klubit, që i bën trofeut të Kupës dhe daljes për në Europë. Ne do të luftojmë në të dy krahët për të çuar Skënderbeun në Europë”, – është shprehur trajneri i korçarëve.

Shehi ka komentuar edhe gabimin që mbrojtësi Kaba Sambou bëri në ndeshjen e fundit me Tiranën: “Nuk e di, ishte një gafë e jona, sepse nuk mund të lësh lojën pa i rënë arbitri bilbilit. Nuk di çfarë emri t’i vë asaj që ndodhi”. / Vipsprot.al