Anjeli ëndërron Guardiolën, nesër dita e të vërtetës për trajnerin te Juventusi

Të gjithë tifozët e Juventusit do të mësojnë nesër se kush do të jetë trajneri i bardhezinjve në sezonin e ardhshëm e me shumë mundësi edhe për 2-3 vitet në vazhdim. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, nesër do të jetë takimi i shumëpritur mes presidentit Anjeli dhe trajnerit Alegri, për të vendosur nëse do të vazhdohet e rinovohet bashkëpunimi, apo nëse palët do të ndahen në kërkim të një aventure tjetër.

Andrea Anjeli sot është rrethuar nga gazetarët para nëj evenimenti bamirësie dhe i kanë kërkuar të komentojë për pritshmëriën e kësaj mbledhje, por numri 1 i Juventusit ka evituar të flasë para mediave. Nga ana tjetër, trajneri Alegri ka qenë si zakonisht në stërvitje me ekipin dhe nuk ka pasur asnjë lloj komunikimi me mediat, duke ruajtur qetësinë para një mbledhje e cila do të përcaktojë fatin e rrugëtimit të kampionëve në fuqi të Italisë.

Mediat italiane raportojnë prej ditësh se raportet mes Alegrit dhe Juventusit janë krisur, por klubi bardhezi nuk ka siguruar ende një zëvendësues të denjë për të, ndaj po mendon të vazhdojë me teknikun edhe të paktën për një sezon. Ëndrra e Anjelit është Guardiola, por trajneri nuk ka dhënë sinjale se dëshiron të largohet nga Mançester Siti. /vipsport.al/