Aleksi zotohet se ka dhënë maksimumin, Xhekson: Edhe Mesi nuk luan mirë në çdo ndeshje

Situata e fundit te Luftëtari, ku klubi gjirokastrit vendosi të pezullonte trajnerin Ahmataj dhe dy futbollistët, Aleksi dhe Xhekson ka bërë që këta të fundit të mbyllin para kohe aventurën me bluzinjtë. Mesfushori Aleksi dhe mbrojtësi Xhekson në një reportazh për ‘SuperSport’ janë shprehur se nuk e prisnin këtë vendim nga klubi ndërsa shtojnë se gjithmonë kanë dhënë maksimumin për Luftëtarin.

“Normale nuk ndihem mirë, por ky është vendimi i klubit. Jam profesionist dhe duhet t’i zbatoj rregullat një më një. Unë u paraqita në stërvitje sot, për arsye se jam pjesë e grupit. Por në momentin që vajta në stërvitje, mu paraqit një letër me shkrim se jam i pezulluar për dy ndeshje. Për momentin nuk më erdhi mirë, por janë vendime të klubit dhe duhet t’i pranoj.  Dua t’i falënderoj jashtë mase për 4 vite që kam kaluar këtu dhe jam rritur si sportist.

Do të më mungojnë shumë se kam krijuar edhe miqësi jashtë fushe, por shpresoj jo vetëm të më mungojnë por t’i mungoj edhe unë atyre. Nuk e prisja sepse për nga mënyra si u luajt ndeshja apo si i bëmë dhe pësuam golat nuk duhej të merrej vendim nga klubi, por që ditën e parë që kam firmosur me Luftëtarin kam dhënë maksimumin në çdo moment”, tha Aleksi.

“Falenderoj Luftëtarin për çdo gjë, kam dhënë gjithmonë më të mirën për këtë skuadër. E kam dëgjuar argumentin e drejtuesve se unë nuk luajta mirë kundër Tiranës, edh Mesi nuk luan në çdo ndeshje mirë. Edhe në ndeshje të tjera kam luajtur keq për Luftëtarin, kjo është normale për një futbollist. Kam dhënë maksimumin, sa i përket të ardhmes nuk e di. Do të kthehem në shtëpi, do të flas me menaxherin. Gjithsesi për çdo vendim do t’iu vë në dijeni”, u shpreh Xhekson.