Alegri e merr me humor: Pas ndeshjes në plazh i lyer me krem, se ndryshe budallepsem më shumë

Trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, duket se po e përjeton me shumë humor lamtumirën e tij nga bardhezinjtë pas 5 vitesh në radhët e kësaj skuadre. Trajneri i bardhezinjve, në konferencën e fundit për shtyp para sfidës me Sampdorian, nuk ka ngurruar të bëjë humor me gazetarët e pranishëm.

Fillimisht ai ka sqaruar se cili do të ishte formacioni titullar i ndeshjes së fundit, pas mungesave të emrave si Ronaldo e Manxhukiç.

“Nuk ka pse të flasim aspak, nesër do të luajmë me Pinsoljo, Kaceres, Rugani, Kielini, De Shiljo, Kuadrado, Emre Xhan, Bentankur, Pereira, Dibala dhe Kin. Sa i përket pjesës tjetër, faleminderit të gjithëve. Tani do të përshëndetemi në dhomën tjetër, pimë ndonjë gotë, bëjmë një urim fund sezoni dhe pastaj me ndonjë shihemi në ndeshje nesër, përndryshe do të shihemi së shpejti në ekrane të tjera.

Do të shkojmë të bëjmë një ndeshje të bukur se duhet ta mbyllim mirë, kundër një skuadre që ka bërë një kampionat shumë të bukur dhe i duhet dhënë merita Xhampaolos për punën që ka bërë. Pastaj do të shkoj në plazh, të marrim pak diell. Më kanë informuar që duhet të vendos kremin mbrojtës se përndryshe me bie dielli në kokë dhe budallepsem edhe më shumë se sa jam. Krem mbrojtës 50? Në rregull”, tha duke qeshur Alegri para se të largohej nga salla. /vipsport.al/