Alban Hoxha në delir: Shumë pak besuan, ky Partizan merr komandën e Superiores

Alban Hoxha është ndier në “qiellin e shtatë”: “Shumë pak vetë në jetë kanë shansin ta provojnë, është kënaqësi shumë e veçantë dhe është dyfish kur je kapiten. Kemi kaluar një vit të vështirë, ka pasur më shumë të mira, por arritëm këtu ku jemi, të ngremë kupën dhe shpresoj që të mos e ngremë vetëm këtë vit e të kënaqemi, por edhe në vitet e tjera në vazhdimësi si Skënderbeu. Ne e nisëm në fillim me disa lojtarë të rinj, shumë pak besonin dhe nuk e mendonin që mund të dilnim kampion. për fatin e mirë u adoptuan shumë mirë dhe javë pas jave treguan rritje e arritëm ku jemi sot”, – tha fillimisht Alban Hoxha, kapiteni i të kuqve.

Europa

Partizani do të luajë në Chamnpions, aty ku shorti mund t’i rezervojë kundërshtarë të fortë, por Hoxha shpreson: “Europa po vjen dhe shpresojmë që të kemi një kundërshtar të lehtë. Por më parë janë dy ndeshjet me Kombëtaren ku unë dhe jam i grumbulluar. Forca e grupit ka qenë arma jonë më e fortë. Mbroheshim mirë dhe njëkohësisht sulmonim po shumë mirë”.

Titulli

Ka qenë një sezon ku Partizani ka pasur edhe luhatje jo pak herë dhe vendi i parë është vënë në rrezik. I pyetur Hoxha, se sa besim ka pasur në daljen kampion, “gardiani” i të kuqve ka shtuar se: “Në ndeshjen me Kukësin në Shkodër u binda se do dilnim kampion sepse mori tjetër rrjedhë gara, por sidomos në Vlorë kur fituam 0-3 aty thash se titulli do të jetë i Partizanit. Këto kanë qenë dy momentet më të mira që ne ju afruam titullit”,-tha Hoxha duke mbyllur prononcimin e tij në emisionin “Gol pas goli” në “Supersport”.

E.S./Vipsport.al/