Ajaksi e mbyll sezonin me buzëqeshje, siguron titullin e 34 kampion në histori

Zhgënjimi për dështimin në Ligën e Kampioneve ka kaluar sot për Ajaksin i cili ka arritur të thellojë rekordin e vet në kampionatin holandez, duke fituar trofeun për herën e 34-t në histori. Skuadra e drejtuar nga Ten Hag ka mundur 4-1 ekipin e Grafshap në transfertë dhe ka ngritur lart trofeun për t’u konfirmuar si superfuqia e kampionatit.

Fitorja e PSV ndjekës ndaj Herakles me shifrat 3-1 ka vlejtur shumë pak, pasi ekipi i drejtuar nga Mark van Bomel mbeti në vendin e dytë në renditjen e kampionatit, duke i dorëzuar fronin pikërisht ekipit të Ajaksit. Ky i fundit dominon dukshëm sa i përket numrit të trofeve të kampionatit të fituar, me 34 suksese, ndërsa PSV e ndjek me 24 të tillë e Fejenord me vetëm 15 trofe.

Tani mbetet të shihet se si do të riformatohen këto tre skuadra në sezonin e ardhshëm, pasi kanë në përbërjen e tyre lojtarë të cilët kërkohen nga emrat më të mëdhenj në Europë e me siguri do t’i japin lamtumirën gjatë verës. /vipsport.al/