Ahmataj: Matematika na mban ende në lojë, kemi marrë tri pikë shumë të rëndësishme

Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj, ka marrë frymë lirisht pas fitores 3-2 me Kukësin. Një fitore me përmbysje, që do të thotë qëndrim në elitë për ekipin gjirokastrit, edhe pse janë për t’u luajtur edhe tri ndeshje të tjera.

“Ishte një ndeshje me shumë presion. Përballë kishim një skuadër shumë të fortë si Kukësi, me organikë të pasur, me lojtarë sulmues mjaft të mirë, që shënojnë nga çdo pozicion. Besoj se Luftëtari ka marrë 3 pikë mjaft të rëndësishme, megjithatë nuk duhet ta flemë mendjen, sepse nuk e kemi siguruar ende matematikisht qëndrimin.

Ndeshjet e mbetura? Së pari dua t’i uroj Partizanit titullin kampion. Ata vijnë në fushën tonë javën e fundit, por nuk besoj se do të vijnë për shëtitje. Përveç Kamzës, kemi ndeshjet me Skënderbeun dhe Partizanin, që janë dy ekipe elitare dhe mund të na hapin shumë punë, kështu që duhet të jemi të përqendruar deri në fund”, – tha mes të tjerash pas ndeshjes me Kukësin trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj. / Vipsport.al