Ahmataj: Kaluam në aventurë, nuk e kam parë asnjëherë skuadrën në këtë gjendje

Pas ndeshjes me Tiranën, trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj, theksoi se skuadra e tij nuk ishte në një ditë të mirë dhe pas golit të dytë të kundërshtarit, i shënuar me penallti, kaloi në aventurë:

“Ta fillosh pjesën e dytë me një penallti dhe pas 5 minutash të marrësh gol në një situatë të parrezikshme, është shumë e vështirë dhe shumë keq për ne. Skuadra nuk ishte në ditën e saj më të mirë. Kur je në disavantazhin e dy golave, do të hysh në aventurë, sepse nuk ke çfarë humb.

Skuadra nuk mundi ta merrte veten edhe pas ndërrimeve, pavarësisht se shënuam edhe dy gola të tjera. Nuk kishte ekuilibër taktik. Duhej të luanim si në pjesën e parë. Nuk e kam parë ndonjëherë skuadrën në këtë situatë, nuk kam çfarë të them. Nuk merrem asnjëherë me arbitrat. Ai ashtu e pa dhe e dha, pore ndikoi në lojën tonë. Nëse nuk ka qenë penallti, do të më vinte shumë keq.

Ekuilibrat u prishën kur ne aktivizuam gati pesë sulmues. Duhet ta harrojmë këtë ndeshje, sepse objektivi ynë është kampionati, qëndrimi në Superiore. Ndeshja u vendos nga episodet, sepse në ndeshjet e mëparshme me Tiranën kemi qenë thuajse të barabartë.

Nuk e kam të qartë se ke jemi me dëmtimet e lojtarëve, sepse janë dëmtime në ligamente, kurse Ramadani ka një dëmtim të hershëm dhe ka humbur formën fizike. Jam i kënaqur për pjesën e parë, sepse e kishim ndeshjen nën kontroll, më pas me koshiencë rrezikuam. Pësuam shumë në tranzicion, që Tirana e shfrytëzoi mjaft mirë”, – tha Ahmataj. / Vipsport.al