Ahmataj dhe dy të pezulluarit dalin në stërvitje, Luftëtari i largon

Situatë paradoksale ajo që ka ndodhur sot në Derviçan, në seancën e parë stërvitore për skuadrën e  Luftëtarit që pas ndeshjes së fituar kundër Kukësit në fundjavë. Trajneri Ahmataj dhe futbollistët Aleksi e Xhekson janë paraqitur në stërvitje, por drejtuesit e klubit i kanë larguar, duke bërë thuajse zyrtar “divorcin” mes palëve.

Të tre të pezulluarit e dy ditëve më parë ishin paraqitur rregullisht para ambienteve të stadiumit duke iu bashkuar ekipit në rrugëtimin e tyre drejt fushës së Derviçanit ku kryejnë stërvitje gjirokastritët. Sipas “SuperSport”, me mbërritjen atje, të treve u është komunikuar zyrtarisht me anë të një shkrese nga klubi masa disiplinore që është marrë ndaj tyre, me pezullimin dyjavor e kësisoj u është bërë e qartë që nuk duhej të ishin të pranishëm në vijimin e stërvitjes e cila u drejtua nga Jovan Mihajloviç, trajneri i portierëve, pasi edhe ndihmësi Neritan Novi është mes të pezulluarve.

Të tre janë larguar nga ambientet stërvitore, duke përgatitur tashëm me siguri edhe lamtumirën e tyre përfundimtare nga Gjirokastra ku duket se janë të padëshiruar  edhe pse ishin ndër kontribuuesit kryesorë për të siguruar mbijetesën në këtë sezon në Superiore. /vipsport.al/