Aguero sqaron “tradhtinë” ndaj Mesit: Nuk e thashë ashtu!

Deklaratat e Serxhio Agueros për fituesit e mundshëm të “Topit të Artë” në këtë sezon kanë bërë shumë çudi sot, pasi sulmuesi në një video shfaqej duke deklaruar se emri i përzgjedhur “duhet të dalë nga skuadrat finaliste të Ligës së Kampioneve”. Shumëkush e interpretoi këtë një “tradhti” ndaj Mesit, me të cilin ai është mik i ngushtë që në moshë shumë të re, pasi kanë luajtur bashkë që në përfaqësueset e moshave të Argjentinës.

Kjo bëri që ndaj tij të shpërthenin kritikat, duke llogaritur se “Pleshti” kishte mbrojtur gjithmonë publikisht sulmuesin e Mançester Sitit, edhe në momentet kur ky i fundit kishte kaluar një formë të dobët. Ndaj me dy postime në “Twitter”, Aguero është munduar që të shpjegojë gjithçka për këto fjalë që kishte thënë, duke e cilësuar si keqinterpretim që u ishin bërë atyre.

“Nuk më pëlqen të sqaroj deklaratat e mia, por kur më citojnë për gjëra që nuk kam thënë, duhet bërë. Po e shpjegoj atëherë. Askush tjetër përveç Mesit nuk do të jetë zgjedhja ime për “Topin e Artë” për sa kohë që ai luan futboll, sidomos nëse luan siç ka bërë këtë sezon. Pyetja që më bënë ishte nëse unë mund të fitoja këtë trofe këtë vit. Përgjigja ime ishte që unë duhej të kisha mbërritur në finalen e Ligës së Kampioneve për ta merituar. Nuk mund të ishte më e qartë dhe nuk ka vend për keqinterpretime”, shpjegoi Aguero versionin e tij rreth lajmit të publikuar sot. /vipsport.al/