Agjensia italiane e shtypit e jep të sigurt, Guardiola do të jetë trajneri i Juventusit

Nuk kanë fund zërat që lidhen me teknikun e ri të Juventusit. Posti i lënë bosh nga Masimiliano Alegri ka shkaktuar një rrëmujë të madhe në mediet italiane të cilat çdo ditë raportojnë mbi emrat më të mundshëm për të marrë drejtimin e bardhezinjve. Ditën e sotme ka qenë agjencia italiane e shtypit e cila e ka dhënë si të sigurt se Pep Guardiola do të jetë trajneri i ri i Juventusit.

Agjencia italiane në fakt, ka shkuar edhe më tej duke dhënë detaje mbi datën e firmës, e cila pretendohet të jetë 4 qershori ndërsa shprehet se prezantimi do të vijë në 14 qershor. Ndërkohë, që e gjithë situata nuk ka asnjë konfirmim nga palët, e sigurt është se trajneri spanjoll është një ëndërr e presidentit Anjeli.

Ndërkaq, opsioni më i mundshëm nëse nuk mbërrihet te tekniku i Sitit, është Mauricio Sarri. Trajneri aktual i Çelsit duket se do të largohet nga Anglia pas finales së Ligës së Europës dhe Juventusi është e interesuar për ish-teknikun e Napolit, pasi e konsideron si njeriun e duhur për të zhvilluar një futboll më ofensiv por edhe për të marrë rezultate.

/EgiCabeli-VipSport.al/