15 pikë në lojë për Europën, Laçi i Starovës ndez “motorët”!

Me Fangajn në dyshim për ndeshjen e radhës të kampionatit, një nga finalet e mbetura për Europën, e cila luhet me krutanët në Laç, bardhezinjtë e Sulejman Starovës, aktualisht i ndajnë vetëm 3 pikë nga vendi i tretë në tabelën e renditjes. Pikërisht për këtë arsye javët e mbetura shihen si finale, plot katër të tilla duke parë që në mes është edhe sfida me Kamzën e fituar në tavolinë.

Kalendari nuk tregohet aspak i mëshirshëm me bardhezinjtë në këtë fund sezoni, që ndryshe nga vitet e shkuara nuk i shkuan dot deri në fund Kupës së Shqipërisë dhe tashmë shpresojnë vetëm te kampionati, e madje duke synuar që t’i fitojnë të gjitha takimet e mbetura.

Me 4 pikët e marra në dy ndeshjet e fundit ndaj Skënderbeut në shtëpi dhe Partizanit në “Selman Stërmasi” kanë ngritur moralin dhe asgjë nuk shihet si e pamundur tek Laçi që luan sezonin në 5 sfidat e mbetura. Pa harruar aspak se rivaliteti është i madh, me durrsakët, korçarët e vlonjatët që po punojnë me llogari në këto javë…!

E.S./Vipsport.al/