Zyrtare/ Trajner dhe objektiva të reja, gjithçka nis nga fillimi për Çekiçin

Endri Çekiçi u largua në ditët e fundit të janarit nga Dinamo Zagrebi, duke firmosur në kampionatin slloven me skuadrën e Olimpija Ljubljanës. Që nga ajo kohë, Çekiçi ka pasur vetëm pak minuta në këmbë, ndërkohë që në ndeshjen e fundit në kampionat, Çekiçi u aktivizua titullar por pa mundur të ndihmojë skuadrën e tij për rezultat pozitiv, që u ndal në barazim 0-0.

Ky rezultat ka bërë që Maribori të shkëputet në krye me 12 pikë kur kanë mbetur edhe pak javë deri në përfundim të kampionatit. Distanca me Mariborin, ka detyruar presidentin e klubit, Milan Mandariç që të shkarkojë nga detyra trajnerin Robert Pevnik dhe vendin e tij e zë një emër i njohur në klubin slloven, Safet Hadziç.

Trajneri i cili e ka drejtuar edhe në të kaluarën Olimpijan, duhet të rikthejë skuadrën në pretendente për titullin kampin, detyrë jo e lehtë kjo për trajnerin. Sakaq, gjithçka nis nga fillimi edhe për sulmuesin nga Pogradeci, Endri Çekiçi i cili duhet të bindë tashmë trajnerin e ri në mënyrë që të gjejë vend në formacion, duke menduar edhe vështirësinë për shkak të pasaportës pasi konsiderohet ekstra-komunitar. /Erjon Allaraj-VipSport.al/