Votim me ‘dorë në allçi’, klubet miratojnë ndryshimet që u heqin të drejtat

Në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF që mbahet ditën e sotme, ka pasur një sërë propozimesh dhe ashtu siç pritej, të gjitha janë miratuar përfshirë këtu edhe ndryshimet statusore që u heqin klubeve të futbollit të drejtat që kanë pasur deri më sot. Bie në sy fakti, që të gjithë të deleguarit kanë votuar pro, duke ngritur lart vetëm kartonët jeshilë, pa marrë parasysh që u hiqen jo pak të drejta.

Kështu, neni 55 që ishte: “FSHF dhe anëtarët e saj janë pronarët origjinalë të të gjitha të drejtave që dalin nga garat dhe ngjarje të tjera që vijnë nga juridiksioni përkatës”, zhduket plotësisht për anëtarët dhe është FSHF ajo e cila gëzon këtë të drejtë duke i hequr klubeve të drejtën për të qenë bashkëpronarë të së drejtës televizive.

“FSHF, si organizatore e veprimtarive futbollistike në Republikën e Shqipërisë, është pronare e të drejtës së transmetimit (televiziv apo ne formën e teknologjive të reja) të kësaj veprimtarie, duke pasur të drejtën ta shesë atë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, shkruhet në nenin e rin, që e bën tashmë FSHF-në pronare të vetme.

Sakaq, të gjithë me dorën lart kanë votuar edhe për ndryshimet në Kodin e Disiplinës dhe e njëjta gjë ka ndodhur edhe për votimet në Kodin e Etikës, ndërkohë që po me dorën lart janë bërë ndryshimet në Rregulloren për Statusin e Lojtarit. /VipSport.al/