Vjen momenti i Odise Roshit, titullar dhe fitore me “Raketën”

Merr fund edhe makthi i Odise Roshit, i cili është kthyer titullar në fushën e lojës për herë të parë në ndeshje zyrtare që nga gushti i vitit 2018. Mesfushori i cili pësoi një dëmtim të rëndë dhe u desh t’i nënshtrohej operacionit, kaloi pjesën e dytë të vitit të kaluar në fazë riaftësimi dhe vetëm në javët e fundit iu bashkua klubit të Akhmat Groznit.

Lojtari ishte aktivizuar edhe në javët e mëparshme, duke luajtur pak minuta si zëvendësues, por në klub vendosën që kishte ardhur koha që ai të provonte përsëri veten nga minuta e parë në krahun e djathtë të mesfushës. Kështu, “Raketa” luajti titullar sot ndaj Anzhit, duke u pozicionuar përkrah Balajt, i cili ishte gjithashtu në majën e sulmit nga minuta e parë.

Nëse Balaj u zëvendësua në pjesën e dytë, Roshi qëndroi në fushë gjatë 90 minutave në ndeshjen që skuadra e tij e fitoi me shifrat 1-0. Një provë se “Raketa” është kthyer përsëri në formën më të mirë dhe se do të jetë gati për ndeshjet e përfaqësues në muajin qershor. /vipsport.al/