VIDEO / “U ka shpëtuar në mbathje”, Ronaldo nuk e fsheh zemërimin ndaj shokëve të skuadrës

Zhgënjimi për eliminimin e parakohshëm nga Liga e Kampionëve ka hidhëruar të gjithë ambientin e Juventusit. Bardhezinjtë edhe pse e nisën sfidën në avantazh dhe më pas gjetën rrugën e rrjetës, sërish nuk ia dolën përballë Ajaksit, të mbushur me talente. Holandezët i imponuan lojën e tyre Zonjës së Vjetër teksa në fund morën kualifikimin e merituar.

Ndërkohë, Juventusit nuk i mjaftoi Kristiano Ronaldo. Portugezi i cili nuk është mësuar t’i japë kaq herët lamtumirën këtij kompeticioni,e tregoi haptazi pakënaqësinë ndaj shokëve të skuadërs. Pas përfundimit të ndeshjes teksa mërzia për futbollistët juventin ishte në kulm, CR7 u filmua nga kamerat e stadiumit duke bërë një gjest të pahijshëm drejt pankinës bardhezi.

Në fakt, Ronaldo mund të jetë dhe lojtari më i justifikuar pasi 34-vjeçari detyrën e tij e bëri më së miri teksa në raundin e kaluar shënoi një tregolësh ndërsa në këtë fazë shënoi dy herë përballë Ajaksit. Gjithsesi, gjesti në drejtim të stolit të Juventusit edhe mund të ishte shmangur nga Ronaldo pasi ishte një formë ofenduese ndaj shokëve të skuadrës.

/Egi Çabeli-VipSport.al/