VIDEO / Te PSG si në klubet shqiptare, presidenti e lojtarët kundër gjyqtarit në tunel

Humbja 5-1 ndaj Lilës ka sjellë tension e polemika të pazakonta në radhët e PSG-së, me drejtues e lojtarë që i janë vërsulur gjyqtarit të ndeshjes që në pushimin mes pjesëve të kësaj sfide. Kilian Mbape pa t’i anulohen dy gola në fraksionin e parë të lojës, duke sjellë protestat e drejtuesve të ekipit të tij që u shtuan pas kartonit të kuq të Bernat, aq sa edhe presidenti Naser Al Khelaifi gjendej në tunelin që çon në dhomat e zhveshjeve për të pritur ekipin e sidomos gjyqtarët që drejtonin duelin.

Kamerat kanë filmuar skenën e pazakontë për gjigandët e futbollit francez, pamje të cilat me siguri do të sjellin edhe ndëshkimin e drejtuesve apo lojtarëve për frazat dhe veprimet e tyre.

“Ky është i njëjti gjyqtar që na dha tre penallti kundër në ndeshjen me Gingamp”, i tha Tuhel presidentit të parisienëve. Më pas shfaqet Mbape i inatosur. “Ky gjyqtar na nxori nga Kupa e Ligës, na nxjerr jashtë lojtarë, na nxjerr nga gjithçka”, thotë sulmuesi i mërzitur, ndërsa Areola ishte ai që mundohej ta qetësonte.

Draksler ishte më i tensionuari në ato momente. “Përse e keni VAR nëse nuk e konsultoni”, ishin fjalët e gjermanit të cilin e tërhoqën nga krahët kur po i drejtohej gjyqtarëve. Edhe Al Khelaifi vetë iu drejtua atyre. “Duhet të rritni nivelin e futbollit francez”, ishte akuza e drejtuesit i cili sipas mediave franceze, ishte përplasur edhe në tribunë me drejtuesit e Lilës. /vipsport.al/