VIDEO / Shtyllë-fytyrë-rrjetë! Në Europa League shënohet autogoli i vitit

Ndeshja e sotme mes Çelsit dhe Slavia Pragës do të kujtohet gjatë nga skuadra çeke, e cila vizitonte “Stamford Bridge” dhe kishte fatin të luante një çerekfinale përballë skuadrës së njohur angleze. Por për mbrojtësi e saj, Deli, kjo do të jetë një ditë për t’u kujtuar ndryshe nga të tjerët pasi ai ka shënuar padyshim autogolin e vitit.

Në minutën e 10 të takimit, me rezultatin 1-0, Hazard u shfaq në krahun e majtë dhe tentoi të niste një top të shpejtë në shtyllën e dytë. Pasimi ishte perfekt për Pedron, por devijimi i spanjollit nuk ishte i tillë. Ai preku topin duke e drejtuar në katërkëndor, por në vend të rrjetës gjeti shtyllën pingule.

Për fatin e mirë të Çelsit, dhe të keqin e Deli, topi u kthye dhe u përplas në fytyrën e mbrojtësit, duke përfunduar më pas në rrjetën e portës së skuadrës çeke. Një episod i cili dyfishoi shifrat e ndeshjes për londinezët, mes të qeshrave të tifozëve vendas të cilët sigurisht vlerësuan “gjestin teknik” të mbrojtësit. /vipsport.al/