VIDEO/ Rashford humbi letrën e trajnerit Solskjaer, plani ‘bie’ në duart e portierit Ter Shtegen

Një moment interesant është regjistruar në ‘Camp Nou’ në sfidën e Ligës së Kampionëve mes Barcelonës dhe Mançester Junajtid. Janë të shumta mënyrat që trajnerët kanë gjetur për të udhëzuar futbollistët në fushë për strategjitë ndaj kundërshtarit apo lëvizjet e skemave gjatë lojës.

Një përpjekje të tillë ka bërë dhe trajneri i Junajtid, i cili ka shkruar një copë letër teksa ia ka dorëzuar Rashford, por sulmuesi nuk është treguar i kujdesshëm teksa e ka humbur pas një dueli me Pikenë. Me letrën e cila ka rënë në hyrje të zonës katalanas, portieri Ter Shtegen nuk ka rezistuar dot dhe është afruar për të parë se çfarë kishte shënuar tekniku i ‘Djajve të Kuq’, duke ‘spiunuar’ kështu në një farë mënyre kundërshtarët.

Në letër ishte një udhëzim ndaj skuadrës për të ndryshuar rreshtimin në fushë, por letra përfundoi në duart e gabuara. Një moment që nuk është humbur nga telekamerat teksa video e gardianit të Barcelonës është kthyer virale në rrjetet sociale.

/Egi Çabeli-VipSport.al/