VIDEO/ Mesfushori i Kombëtares feston ditëlindjen, surprizë nga ultrasit e skuadrës

Mesfushori i Kombëtares, Ylber Ramadani sot ka festuar ditëlindjen e tij të 23-të, por kjo nuk e ka ndaluar që të zbresë në fushë me skuadrën e tij në fitoren që Vejle arriti të merrte në shtëpi me rezultatin 3-0. Në fillim të takimit, Ramadani është përballur me një surprizë mjaft të bukur të tifozëve, të cilët kanë menduar ta respektojnë me rastin e ditëlindjes.

Në cepin e stadiumit ku ishin vendosur ultrasit e skuadrës, ka nisur kënga e ditëlindjes drejtuar mesfushorit Ramadani i cili nuk ka ngurruar të afrohet dhe t’i duartrokasë në shenjë falënderimi. Ramadani është një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së Vejles duke ndihmuar për t’u ngjitur në Superligën daneze.

Ai luan në të njëjtën skuadër me shqiptarin tjetër, Arbnor Muçolli i cili aktivizohet me Shpresat e Shqipërisë dhe është një nga më të dalluarit. Kujtojmë që sezonin e shkuar dhe deri pak javë më parë, Ramadani drejtohej nga trajneri Adolfo Sormani me të cilin ka punuar edhe në Shqipëri te Partizani. /Erjon Allaraj-VipSport.al/