VIDEO/ Memushaj nuk di të ndalet dhe realizon një tjetër supergol: E rëndësishme është fitorja

Ledian Memushaj mund të konsiderohet padyshim si njeriu i momentit në Serinë B italiane, pasi duket se ka hequr dorë nga asistimet dhe ka nisur të shënojë gola. Ai sigurohet që golat e tij të mbahen mend, pasi dy golat e fundit kanë qenë për kornizë.

Pak ditë më parë, Memushaj realizonte një supergol ndaj Palermos në fitoren që skuadra e tij arriti me rezultatin 3-2, ndërkohë që sot ka realizuar një tjetër gol. Ai ka kaluar në avantazh ekipin e tij në takimin ndaj Peruxhias, duke zhbllokuar shifrat në pjesën e parë me një gol i cili mund të konsiderohet si ndër më të bukurit e sezonit.

Në përfundim të pjesës së parë, Memushaj ka folur për mediat italiane duke qëndruar jo pak modest. Ai shprehet se për të kanë rëndësi fitoret dhe rezultatet pozitive të skuadrës. “Gjëja më e rëndësishme është të jemi në krye dhe të mundohemi të fitojmë. Duhet të luajmë të gjithë kur mund të luajmë dhe të qëndrojmë pas skuadrës kur nuk mund të luajmë”, tha Memushaj. /Erjon Allaraj-VipSport.al/