VIDEO/ Ibra jep ‘leksionin’ e radhës në Amerikë, në katedër ngjitet edhe Nani

Në kampionatin amerikan të futbollit, skuadra e Ibrahimoviç, Los Anxhelos Galaksi ka marrë suksesin e radhës teksa ka mposhtur Filadelfian me rezultatin 2-0. Dhe kush tjetër veç Ibrës mund të ishte protagonist i sfidës, suedezi shënoi të dy golat e ekipit të tij duke dhënë leksionin e radhës në futbollin amerikan.

Fillimisht sulmuesi shënoi në minutën e 27, me armën e tij më të fortë, goditjen me kokë. Ndërsa 9 minuta më pas dyfishoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë, duke realizuar thjeshtësisht. Në pjesën e dytë nuk pati më gola dhe dy realizimet e Ibrës mjaftuan për Los Anxhelos të merrnin triumfin.

Ndërkohë këtë vit kampionatit amerikan i është bashkuar edhe një tjetër yll i futbollit europian. Luis Nani i cili aktivizohet me Orlando Siti, ish-skuadrën e Kaka, realizoi mjeshtërisht nga goditja e dënimit. Megjithatë, goli i portugezit nuk mjaftoi për të tijtë, që u mposhtën 2-1 nga ekipi i Real Salt Lejk. /Egi Çabeli-VipSport.al/