VIDEO/ Heroi i Totenhem, Lorente: Mendova se goli do anulohej, e preka me dorë

Mbrëmja e djeshme e Champions League dhuroi një nga ndeshjet më të bukura dhe emocionuese të këtij kompeticioni deri më tani teksa Mançester Siti dhe Totenhem, fundin e sfidës e përfunduan me rezultatin 4-3. Në fakt, përveç emocioneve takimit nuk i munguan as polemikat.

Ndërsa ‘Qytetarët’po udhëhiqnin me rezultatin 4-2 dhe për momentin ishin të kualifikuar erdhi goli i Fernando Lorentes. Nga goditja e këndit sulmuesi devijoi me trup në rrjetë sferën, duke shënuar një gol që peshonte shumë. Por, të gjithë lojtarët e Sitit, përfshirë dhe trajnerin Guardiola protestuan ashpër për shkak të dyshimeve se Lorente e kishte devijuar topin me dorë. Në lojë u fut sistemi VAR dhe pas pamjeve arbitri i ndeshjes, Çakir akordoi si të rregullt golin. Një gol që në fund rezultoi deçiziv dhe eliminoi Sitin nga Championsi.

Ndërkohë episodi do të vazhdojë të diskutohet gjatë, ndërsa pas ndeshjes protagonisti kryesor i ndeshjes, Fernando Lorente e pranoi se e kishte prekur topin edhe me dorë. “Isha i ngrirë, mendova se do të ma anulonin golin, pasi e dija që kisha goditur me trup por më kishte prekur edhe në dorë gjithashtu”. Një episod që provon se teknologjia në këtë moment nuk ka funksionuar mirë, ndërsa ka dyshime se arbitrit nuk i janë treguar pamjet e duhura. Ndërkaq, për ta bërë edhe më dramatike këtë ndeshje, në fund sistemi VAR ndërhyri sërish për të anuluar një gol të Sitit, teksa në fund skuadra e Guardiolës nuk mundi të prekte gjysmëfinalet.

/Egi Çabeli-VipSport.al/