VIDEO/ Dhuna në Kavajë, kallëzim penal në polici për përgjegjësit

Ngjarjet e dhunës u rikthyen edhe njëherë tjetër në futbollin shqiptar. Në ndeshjen e Kategorisë së Parë të luajtur në Kavajë, mes Besës dhe Bylisit, situata precipitoi në momentin që arbitri kryesor Klajdi Kola, vendosi të nxjerrë me karton të kuq mbrojtësin Danaj të Besës.

Nga tifozeria vendase e ndodhur në tribunë vërshuan tulla dhe shishe në drejtim të gjyqtarëve teksa njëra prej tyre preku dhe anësorin Denis Rexha. Të gjendur para kësaj situate, ndërsa edhe pak minuta para ngjarjes tifozët e Besë hodhën shishe në fushën e lojës, gjyqtarët e takimit vendosën të ndërprisnin përfundimisht ndeshjen.

Ndërkohë që u sulmuan edhe në momentin e futjes në dhomat e zhveshjes, por në ndihmë iu erdhën lojtarët e Besës të cilët u munduan të evitonin të tjera goditje mbi arbitrat. Pas ndeshjes, anësori Denis Rexha ka bërë kallëzim penal për dhunën, teksa tashmë do të jetë detyra e policisë, e cila mbi pamjet filmike do të evidentojë dhunuesit për të marrë më pas masat. Ndërkaq, ndeshja e cila u ndërpre do të jetë tashmë objekt i komisionit të disiplinës, me skuadrën e kavajase që rrezikon dënim të rëndë.

/Egi Çabeli-VipSport.al/