Veseli i bën nder Milanit, ndal sulmin më të frikshëm të Serisë A

Atalanta sot ka humbur mundësinë për t’iu bashkuar përsëri Milanit në vendin e katërt të Serisë A dhe për të vazhduar luftën e saj në një sezon historik ku duket se mund të luftojë për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve,. Kuqezinjtë e drejtuar nga Gatuzo, për këtë duhet të falënderojnë Empolin e Frederik Veselit, i cili për 90 minuta i ka rezistuar furisë së sulmit më të frikshëm të Serisë A.

Për shumë javë, Atalanta ka mbajtur e vetme fronin sa u përket golave të shënuar në kampionatin italian, ndërsa tani ka vetëm 1 më pak se Juventusi i vendit të parë. Por skuadra e cila ka në radhët e saj emra si Gomez, Iliçiç e Zapata, këtë herë është përballur me “murin” e Empolit që përpiqej vetëm si të administronte rezultatin e bardhë dhe ka bërë gjithçka mirë duke larguar rrezikun nga katërkëndori  i portës gjatë gjithë ndeshjes.

Në fund, një barazim 0-0 që mban Atalantën 2 pikë larg zonës Champions, ndërsa Empoli merr një pikë të rëndësishme për mbijetesën në Serinë A, pasi aktualisht është në zonën e  ftohtë të klasifikimit. Në këtë sfidë, Veseli luajti gjatë 90 minutave si zakonisht në prapavijën e Empolit, ndërsa Gjimshiti dhe Beirsha ndoqën takimin nga stoli. /vipsport.al/