Useini për Vipsport: Ata djem kanë sedër dhe meritojnë Europën, profesori është gjigant

Një nga futbollistët që në merkaton e dimrit u larguan nga Flamurtari është mesfushori Muhamed Useini, i cili u kthyer te Renova në kampionatin maqedonas. Ai e ka ndjekur ecurinë e ekipit vlonjat në këtë periudhë si një tifoz i thekur i Flamurtarit.

Në një prononcim për “Vipsport.al”, mesfushori thekson se lojtarët e Flamurtarit e meritojnë të shkojnë në Kupat e Europës më shumë se kushdo tjetër për atë që po bëjnë. Useini flet gjithashtu edhe për meritat e stafit teknik, me në krye trajnerin Daja, si dhe mundësinë e rikthimit në Vlorë:

“Patjetër që e kam ndjekur Flamurtarin këtë periudhë, në çdo ndeshje. Po bëjnë ndeshje shumë të mira. Nuk habitem që Flamurtari po ecën mirë, sepse ka shumë lojtarë me sedër që futen në ndeshje dhe japin gjithçka. Nuk besoj se ka lojtar që futet në ndeshje dhe mendon për pagat, edhe pse janë gjëja kryesore, sepse të gjithë kanë familje. Flas me ish-shokët e skuadrës, flas shpesh, sepse kam shumë miq të mirë atje.

Rikthimi? Nuk mund të them asgjë në këtë moment, sepse jetës nuk i dihet asnjëherë. Flamurtari dhe Vlora gjithmonë do të mbeten si një ndër periudhat më të mira në karrierën time. Jam shumë i lumtur që kam luajtur për një ekip me aq histori dhe që dhashë maksimumin për atë fanellë, për aq kohë sa luajta.

Ata djem e meritojnë të shkojnë në Kupat e Europës më shumë se askush tjetër. Shpresoj dhe besoj se presidenti do të bëjë gjithçka dhe Flamurtari do të marrë pjesë në kompeticionet europiane.

Daja? Profesori është gjigant. Ka shumë merita për atë që po bën Flamurtari, sepse e mban ekipin të motivuar si askush tjetër. Punon me shumë seriozitet gjithë javës, të motivon në stërvitje dhe di të nxjerrë maksimumin nga çdo lojtar”, – ka thënë mesfushori Useini. / Vipssport.al