Turpëruan Shqipërinë në “Loro Boriçi”, shkarkojnë trajnerin e përfaqësueses

Kombëtarja skoceze e futbollit mbetet pa trajner, pasi Federata ka vendosur që të shkarkojë Aleks MekLish. Edhe pse ky i fundit udhëhoqi ekipin drejt vendit të parë në grup në Ligën e Kombeve, duke mundur pastër në dy ndeshje Shqipërinë, e garantuar kësisoj play-off në Euro 2020, Federatës nuk i ka pëlqyer humbja 3-0 në Kazakistan në fillimin e eliminatoreve.

Kështu, Mek Lish është shkarkuar nga detyra edhe pse në teori kishte arritur rezultatin më të mirë në 20 vitet e fundit nga përfaqësuesja e vendit të tij. Pjesë e suksesit ishin dy fitoret me Shqipërinë, ajo 2-0 në Skoci e sidomos ajo 4-0 në Shkodër e cila u hapi rrugën drejt play-off të Europianit.

Për këtë përfaqësuese nis menjëherë kërkimi për një trajner të ri, i cili do të mundohet që të shpëtojë kualifikueset e Europianit dhe të kërkojë kalimin direkt për në fazën tjetër të turneut, në një grup i cili në teori duket i favorshëm dhe mjaft i hapur pasi ka në radhët e tij Rusinë, Qipron, Kazakistanin dhe San Marinon. /vipsport.al/