Trajneri i ri i Kombëtares zgjidhet brenda javës së ardhshme, koha nuk pret

Për të mësuar emrin e trajnerit të ri të Kombëtares, duhet të presim edhe disa ditë. Armand Duka ka thënë nga Shkodra se javën e ardhshme do të jetë mbyllur çështja e trajnerit dhe stafit të tij, por pa dhënë detaje të tjera.

“Javën e ardhshme do të kemi zgjedhur trajnerin e ri të Kombëtares dhe të stafit të tij. Qershor vjen shpejt dhe stafi i Kombëtares duhet të nisë përgatitjet për dy ndeshjet e radhës eliminatore”, – u shpreh Duka. Një deklaratë e shkurtër kjo e kreut të FSHF-së për pasuesin e Panuçit, që nuk është se e tregon diçka konkrete, por të paktën koha për marrjen e vendimit është e shkurtër.

Deri tani kanë qarkulluar disa emra trajnerësh italianë, si Edi Reja, i cili mbetet favorit, pasi ishte edhe në Shkodër për ndeshjen me Turqinë, Donadoni, De Kanio dhe Xakeroni. Megjithatë, mund të ketë ndonjë surprizë të minutës së fundit.

Në ndeshjen me Andorrën, Kombëtarja u drejtua nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema. / Vipsport.al