Trajneri i Luganos ‘i lumtur’: Të sharat e Sadikut? Më vjen mirë, më bëjnë të fle i qetë

Armando Sadiku është rikthyer në protagonist te skuadra e tij e Luganos ku ka lënë pas dëmtimin e rëndë që kishte pësuar dhe tashmë po gjen rregullisht rrugën e rrjetës. Së fundmi, Sadiku realizoi një supergol në takimin përballë Bazelit dhe në momentin e festimit nuk munguan sharjet drejt pankinës, ku vetë Sadiku tha se ishin për të gjithë.

Në lidhje me këtë festim, ka folur vetë trajneri i Luganos, Fabio Çelestini i cili shprehet se reagime të tilla e bëjnë të ndihet i qetë dhe të flejë më mirë. Ai shton se ai reagim, i lë të kuptohet se futbollistët i ndjejnë ndeshjet dhe kërkojnë të japin më të mirën.

“Reagimi i Sadikut? I kuptoj pasi kam qenë edhe vetë futbollistë. Fakti që shprehen të tilla emocione, është diçka pozitive pasi do të thotë se të gjithë e ndjejnë skuadrën. Do të shqetësohesha nëse do të ndodhte e kundërta, por në këtë mënyrë unë fle më i qetë.

Sadiku ka luajtur në të gjitha ndeshjet tona dhe nuk është mirë pas një dëmtimi si ai që ka pasur Sadiku. Ne jemi munduar të gjejmë një rrugë sa më praktike në mënyrë që të paraqitet në mënyrën sa më të mirë në këto momente dhe duke iu afruar fundit, do të shohim Sadikun e vërtetë”, tha trajneri Çelestini. /Erjon Allaraj-VipSport.al/