Totenhem-Ajaks/ Gjysmëfinalja e mrekullive, kur paratë nuk garantojnë suksesin

Në ditën kur u hodh shorti i çerekfinaleve, menjwherw u projektua një gjysmëfinale spektakolare mes Mançester Sitit dhe Juventusit, duke anashkaluar Totenhemin dhe Ajaksin. Por, një nga arsyet pse futbolli mbetet sporti më i ndjekur është prej faktit se në fushën  e gjelbër gjithçka mund të ndodhë dhe se jo gjithmonë skuadra favorite apo klubi që ka më shumë të ardhura ia del të triumfojë. Këtë e tregojnë më së miri dy ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve mes Sitit e Totenhem dhe Juventus-Ajaks. Bardhezinjtë të cilët vini si favoritë kryesorë jo vetëm për kualifikimin por edhe për triumfin final të kompeticionit u shkërmoqën nga talentet e Ajaks.

Holandezët të mbushur me lojtarë të rinj, me një filozofi të qartë loje iu imponuan pa frikë ‘Zonjës së Vjetër’. Mirëpo, nëse shikon buxhetet e dy klubeve atëherë kupton se Ajaksi ka bërë një mrekulli. ‘Harkëtarët’ hodhën në fushë një organikë lojtarësh që kushtonin 50 milionë euro, ndërsa nga ana tjetër Juventusi shpenzoi 100 milionë vetëm për Kristiano Ronaldon. Leksioni i radhës drejt bardhezinjve por edhe ekipeve tjera europiane ishte fakti se 5 futbollistë të formacionit ishin të dalë nga akademia e klubit dhe kanë për kapiten një 19-vjeçar. Një skuadër fantastike e cila mahnit me futbollin e aplikuar.

E njëjta ide edhe për krahasimin mes Sitit dhe Totenhemit. Skuadra e Poçetinos nuk ka shpenzuar asnjë cent në vitin e fundit në merkato. Trajnerit Poçetino, ndryshe nga kolegu Guardiola i mjaftoi grupi aktual i futbollistëve për të treguar se paratë nuk garantojnë suksesin. ‘Spurs-at’, ruajtën grupin dhe tashmë kanë eliminuar Sitin e milionave. ‘Qytetarët’ kanë shpenzuar pa fund por sërish nuk ia kanë dalë të mbërrijnë në gysmëfinale. Ndërkohë, Totenhem dhe Ajaks do të jetë një gjysmëfinale e gjitha për t’u shijuar mes dy skuadrave që ndoshta nuk kanë prestigjin e Juventusit dhe Sitit, por në fushë e sigurt është se do të dhurojnë spektakël.

/Egi Çabeli-VipSport.al/