Tirana forcohet për fundin e kampionatit, rikthehet sulmuesi

Skuadra e Tiranës do të ketë të gatshëm për sfidën e radhës edhe sulmuesin Majkëll Ngo. Britaniku ishte dënuar nga komisioni i disiplinës me 5 ndeshje jashtë aktivitetit, pas ngjarjeve të dhunës në ambientet e brendshme të stadiumit në post ndeshjen me Laçin.

Teksa kanë kaluar 3 ndeshje nga pezullimi, bardheblutë do të shlyejnë pjesën e mbetur të dënimit duke paguar 2 milionë lekë gjobë. Në këtë formë, trajneri Ardian Mema do të bashkohet me sulmuesin titullar, ndërsa këtë javë i pret një ndeshje e rëndësishme ndaj Kukësit. Hapat fals janë të ndaluar për 24-herë kampionët e Shqipërisë, për të mbetur në +6 nga Kastrioti i një pozicioni më poshtë në renditje.

Ndërkaq, një tjetër lajm i mirë për Tiranën dhe ka të bëjë më rikthimin në dispozicion të mbrojtësit Dorian Kërçiku. Futbollisti i krahut të djathtë ka shlyer pezullimin pasi kishte plotësuar numrin e kartonëve të verdhë teksa do të jetë rregullisht në dispozicion të skuadrës. /Egi Çabeli-VipSport.al/