Te Luftëtari nuk shohin më poshtë, Rapo për “Vipsport”: Tani luftojmë me Flamurtarin!

Donald Rapo, mesfushori 28-vjeçar i skuadrës së Luftëtarit edhe këtë sezon është një nga pikat e forta të bluzinjve në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë. Rapo, ka besim dhe është optimist se skuadra tashmë do të shoh përpara dhe synon që ta mbyllë në një vend nderi në kampionat. Sipas Rapos, Luftëtari do të guxojë edhe në Vlorë. Në një intervistë për “Vipsport”, shtatlarti Donald Rapo tregon situatën në Gjirokastër por edhe flet për mungesat dhe ndeshjen e radhës në kampionat…

-Si po e përgatisni ndeshjen e radhës?

Ndeshja me Flamutarin do jetë shumë e fortë pasi edhe Flamurtari po kalon një formë mjaft të mirë. ne do të futemi në fushë për të dhënë më të mirën tonë, ky është synimi parësore dhe po punojmë shumë të gjithë.

– Luftëtari a vuan nga presioni i rënies ende?

Presion nuk kemi, neve në çdo ndeshje futemi për ta fituar. Besojmë në forcat tona dhe mundësitë që ne kemi si klub dhe skuadër.

– Mungesat e Kotcionis e Ramadanit ndikojnë apo skuadra është konsoliduar sepse trajneri u jep hapësira të gjithëve?

Mungesa e Ramadanit ndihet por çdo lojtar që do të luaj do japë maksimumin e vetë në fushën e lojës. Nuk ka më kohë për t’u menduar. E kemi edhe vetë të qartë, duhet që të lëshojmë “xixa” në fushën e blertë dhe duhet që të marrim më të mirën tonë në çdo fushë ku luajmë.

-Çfarë do të synoni në Vlorë?

Duke e vlerësuar kundërshtarin që është duke kaluar një formë mjaft të mirë, ne në Vlorë shkojmë për të marrë pikë si në çdo ndeshje që luajmë jashtë fushës tonë.

Intervistoi: Erjon Saliu/Vipsport.al/