Talenti që braktisi Shqipërinë për Greqinë nuk pendohet, Shehu: Më ndihmon për karrierën

Të shumtë janë futbollistët shqiptarë të cilët po hezitojnë t’i përgjigjen ftesave të Shqipërisë, ndërkohë që të kundërtën bëjnë kur i fton Greqia. Rasti i fundit dhe më i njohur është ai i Fiorin Durmishajt, por ky rast nuk është as i pari dhe duket se nuk do të jetë as i fundit.

Një tjetër talent që ka braktisur Shqipërinë për Greqinë, është Kristo Shehu i cili aktivizohet me të rinjtë e Panathinaikosit dhe është pjesë e të rinjve të Greqisë. Sulmuesi 19-vjeçar që së fundmi ishte pjesë e Greqisë U19 në ‘Elite Round’ shihet si Ibrahimoviç i ri duke qenë se është shumë teknik me topin dhe ka një fizik të jashtëzakonshëm për moshën e tij, pasi është 1.89 metra i gjatë.

Në një prononcim për mediat greke, Shehu duket se nuk është penduar aspak për zgjedhjen e bërë, megjithëse në të kaluarën e tij ka qenë pjesë e Shqipërisë U17. Ai shprehet se Greqia ishte zgjedhja e tij më e mirë dhe se mund ta ndihmojë shumë në të ardhmen. “E zgjodha Greqinë, sepse e di që do të jetë një ndihmë e madhe për mua dhe për karrierën time”, tha Shehu. /Erjon Allaraj-VipSport.al/