Statistika 2019/ Teuta nuk di as të shënojë, rivali i Partizanit është… Kastrioti

Kategoria Superiore po ia afrohet fundit dhe pak nga pak po merr formë edhe tabela përfundimtare e klasifikimit. Partizani që tashmë kryeson me plot 10 pikë më shumë se Kukësi i vendit të dytë dhe është më pranë se kurrë me titullin kampion ndërkohë që luftë më e ashpër bëhet në dy fronet e tjera. Europa dhe mbijetesa janë dy ekstremet ku asgjë nuk është siguruar dhe skuadrat janë të rrezikuara deri në fund.

Sa i përket golave të shënuar në këtë sezon, mund të thuhet se në krahasim me vitet e tjera ka pasur një thatësi të frikshme. Aktualisht, Partizani ka sulmin më të mirë me 38 gola të shënuar në 31 ndeshje, nga të cilët 3 i ka në tavolinë për shkak të ndeshjes me Kamzën. Viti 2019 nuk ka sjellë shumë ndryshime në gola të shënuar pasi thatësia vazhdon ashtu si në vitin që lamë pas.

Nga ndeshja e parë e vitit 2019 që përkon edhe me ndeshjen e parë të gjysmës së dytë të sezonit, Partizani ka sulmin më të mirë në Superiore me 16 gola të shënuar në fushë, pa llogaritur këtu edhe 3 golat e shënuar ndaj Kamzës në tavolinë me të cilët arrin në kuotën e 19 golave për këtë vit. Bie në sy Kastrioti që po lufton për mbijetesë e megjithatë kjo nuk e pengon aspak të shënojë.

Krutanët kanë realizuar këtë sezon plot 15 gola aq sa ka edhe Kukësi, duke mos i llogaritur këtu Kastriotit 3 golat në tavolinë ndaj Kamzës me të cilët do të shkonte në kuotën e 18 golave për vitin 2019 ndërkohë që në vitin 2018 kishte shënuar vetëm 11 gola. Sulmin më të dobët në Superiore çuditërisht e ka Teuta.

Mund të thuhet çuditërisht duke qenë se merkatoja e janarit ishte aktive për Teutën që afroi në skuadër Tomislav Bushiç e Armando Vajushin të cilët premtonin jo pak gola duke parë edhe fazën e parë të sezonit. Në fakt, gjërat nuk kanë shkuar mirë për bregdetarët pasi në vitin 2019 përveç pikëve që mungojnë, janë shënuar vetëm 9 gola në kampionat. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

*Nuk janë llogaritur golat e shënuar nga ndeshjet në tavolinë ndaj Kamzës!