Starova: Luajtëm më mirë se Luftëtari në shumicën e kohës, por nuk futëm gjë në xhep

Trajneri i Laçit, Sulejman Starova, theksoi pas ndeshjes në Gjirokastër se skuadra e tij luajti mirë në pjesën më të madhe, por bëri një gabim dhe pësoi një gol që i prishi ekuilibrat. Në ndryshimin e lojës në fundin e ndeshjes, kur Laçi po sulmonte më shumë, sipas trajnerit Starova, nuk ishte për shkak të skemës, por nga fakti që kundërshtari po mbronte rezultatin.

“Së pari, një pjesë e mirë më pëlqeu skuadra. Thuajse nuk u rrezikuam nga Luftëtari. Nuk ishim në ditën më të mirë në sulm. Në pjesën e dytë, ai gabim në qendër të mbrojtjes, na ndëshkoi. Më pas skuadra reagoi mirë, humbëm edhe një rast në fund për të barazuar. Luajtëm mirë për një pjesë të madhe të ndeshjes, por nuk futëm gjë në xhep.

Këtë ndeshje e mori historia. Ne përpiqemi nga ndeshja në ndeshje të grumbullojmë sa më shumë pikë, llogaritë i bëjmë në fund pastaj. Skema e lojës? Kur ishim në disavantazh dhe Luftëtari lëshoi terren për t’u mbrojtur, ishim më shumë në sulm, por nuk ishte për shkak të skemës. Pas golit u prishën ekuilibrat dhe rrezikuam. Më mirë të humbësh 2-0 ndeshjen, se të pranosh humbjen dhe të mos rrezikosh.

Luftëtari ka pasur gjithmonë ekip të mirë dhe na ka nxjerrë telashe, edhe kur kam qenë futbollist. Tani po lufton për mbijetesë dhe ka një ekip të fortë”, – tha për “Supersport” trajneri Starova. / Vipsport.al