Situatë kaotike te PSG-ja, “Equipe”: Tuhel po tregon fytyrën e vërtetë, si te Borusia

Një situatë e pakuptimtë është krijuar javët e fundit te PSG-ja. Kryesuesit e kampionatit kanë marrë vetëm 1 pikë në 3 ndeshjet e fundit, ku kanë pësuar 10 gola. Tifozët janë acaruar me ekipin më të pasur të Francës, sidomos pas humbjes së fundit, 3-2, ndaj Nantës.

Festa e titullit është shtyrë tri herë dhe kjo gjë i ka stresuar të gjithë, madje edhe trajnerin Tuhel, i cili në konferencë shtypi nuk i ka kursyer kritikat për të tijtë. Në ndeshjen e fundit PSG-ja u duk një skuadër si gjithë të tjerat në Francë. Sigurisht, mungonin shumë lojtarë me peshë, por ka një rënie të përgjithshme absurde. Skuadra nuk është më agresive, është konfuze dhe bën shumë gabime.

“Mund të kishim humbur më thellë”, – ka thënë Tuhel, i cili pranoi se skuadra e tij nuk njihet më në fushë. Në stol ishin vetëm 5 lojtarë në ndeshjen me Nantën, 3 prej tyre të marrë nga të rinjtë. PSG-ja ka një problem që trajneri gjerman e ka theksuar gjithmonë: ka pak lojtarë. Në fakt, askush nuk e priste që trajneri Tuhel, duke ditur mungesat e Nejmar, Kavani, Di Maria, Silva, Markinjos dhe Meunier për dëmtim, si dhe të Verrati dhe Bernat për kartonë, të linte jashtë edhe sulmuesin Mbape.

KKampioni i botës, pas humbjes 5-1 në fushën e Lilës të dielën që shkoi, u shpreh: “Po luajmë si fillestarë”. Një fjali që nuk i ka pëlqyer trajnerit Tuhel, i cili tha: “Shumë e lehtë ta thuash këtë gjë”. Dhe të mërkurën Mbape ishte në Paris, edhe pse nuk ishte i dëmtuar. “Është zgjedhja ime, por jo një ndëshkim”, – u shpreh Tuhel për mungesën e sulmuesit. Mund të justifikohet me faktin e frikës për shtimin e dëmtimeve, por ndaj Nantës Mbape mund të luante edhe si zëvendësues.

“Nuk është normale të luash me N’Soki, Dagba e Diabi”, – tha gjithashtu trajneri Tuhel, duke iu referuar lojtarëve të rinj, të cilët kanë nevojë për mbështetje nga trajneri, por gjermani nuk e ka bërë. Për këtë arsye, “Equipe” shkruan se Tuhel po tregon fytyrën e vërtetë, atë të Borusias së Dortmundit, ku zihej me të gjithë, derisa u shkarkua. Me PSG-në ka rinovuar, por tashmë duket një person jo i pëlqyer nga tifozët e këtij ekipi. / Vipsport.al