Sinemati: Kampionat i bukur? Shiheni sa real është, po na e bëni sikur jemi Anglia

Kampionati shqiptar ka hyrë në fazën e katërt që është njëkohësisht edhe faza e fundit e Kategorisë Superiore. I ftuar në emisionin ‘Procesi Sportiv’, opinionisti sportiv Gëzim Sinemati u shpreh se ky nuk është kampionat i bukur, duke qenë se nuk ka lojë të drejtë. Ai shtoi se dhuna nuk është hequr nga stadiumet, por tashmë ka dhunë në rezultate.

“Kukësi e hoqi trajnerin se nuk lëvizi nga stoli dhe nuk duhet parë si kampionat i fortë nga poshtë e lart, por duhet parë sa real është. Si është kampionat i bukur ky, kur 4 ndeshje luhen kurse njëra jo. Edhe ato 4 që luhen varet si luhen. U hoq një ekip në emër të dhunës, por dhuna vazhdon sërish. Përveç dhunës fizike, ke dhunë në rezultate. Humbi Kukësi, Teuta dhe Partizani dhe pastaj themi është i bukur. Na duket Superiorja sikur u bë kampionat anglez.

Ne në Shqipëri e kemi ‘VAR’-in, por e kemi ndryshe. Marrin porosi arbitrat dhe ky është ‘VAR’ në Shqipëri. Këtë javë ka pasur shumë gabime arbitrash dhe nuk kanë reaguar klubet. Si ka mundësi? Javët e tjera bëjnë namin.

Deklaratat e Memës? Mema thotë se kampionatet vendosen në tavolina. Tani e ka kuptuar se ku është futbolli shqiptar dhe Tirana është syri i Ciklopit, pa aleanca. Nuk duhet thënë futboll provincial, por futboll klientele. Këtu ka favore dhe favoret i kanë ekipet e reja dhe jo të historisë. Këto i kemi të gjithë ne. Vllaznia, Dinamo, Elbasani e të tjera ekipe nuk duhet të jenë aty ku janë. Sivjet kërkojmë kampionatin nga Partizani për të larë mëkatet. E dimë kush e fiton Kupën dhe të gjithë luajnë me idenë se kush e fiton Kupën”, tha Sinemati. /VipSport.al/