Shqipëria tani ka një trajner të veçantë, Reja është i vetmi që mundi Dukën

Edi Reja është prezantuar sot si trajneri i ri i përfaqësueses shqiptare. Por Italiani, ndryshe nga paraardhësit e tij më të fundit në stolin kuqezi, ka bërë diçka të veçantë, pasi ka shënuar një fitore jo të vogël ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

Në fakt, palët ishin dakord prej disa ditësh për bashkëpunimin, por në negociatat mes tyre, kishte një ngërç sa i përkiste kohëzgjatjes së marrëveshjes. Duka kërkonte një trajner me kontratë afatgjatë, ndërsa Reja, kishte kërkuar një marrëveshje deri në mbyllje të edicionit, pasi nuk dëshironte të hidhte firmën në letër për një afat të gjatë pa parë në veprim futbollistët dhe potencialin që kishte në dispozicion.

Në fund, ka qenë trajneri ai që ka fituar në “betejën” me Dukën, i cili mbahet si negociator i mirë sa u përket detajeve të tilla, aq sa arriti të bindte De Biazin të rinovonte edhe pas Europianit me një rrogë që mund të cilësohej minimale në krahasim me përfitimet e kuqezinjve në ato muaj. Reja ka nuhatur situatën e dëshpëruar në të cilën gjendej Shqipëria pas epokës Panuçi e kësisoj ka detyruar Dukën të pranojë kushtin e tij të parë, atë të nënshkrimit të disa muajve për provë, para se të vendoste nëse do të vazhdonte bashkëpunimin me kuqezinjtë.

E vetmja gjë që Duka ka arritur t;’ shkëpusë teknikut është klauzola e famshme e cila parashikon që marrëveshja e nëntorit të zgjatet dhe ai të qëndrojë deri në përfundimin e Europianit nëse Shqipëria arrin të presë biletën në Euro 2020. Përndryshe, në nëntor palët do të ulen në tavolinë dhe negociatat, apo kërkimi për një trajner të ri, do të fillojë nga e para. /vipsport.al/