Shehi: Vuajmë nga gabimet individuale, Skënderbeu beson te kualifikimi

I pakënaqur nga humbja, ndonëse me një gol të shënuar në gjysmëfinalen e parë të Kupës, trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi tha: “Nuk jam i kënaqur nga humbja, por edhe nga mënyra se si ne i marrim golat nga ndeshja në ndeshje. Jam i mërzitur dhe këtë e kam shfaqur edhe pas ndeshjes, por edhe gjatë lojës. Në pjesën e dytë sigurisht që luajtëm më mirë, shënuam dhe kjo është pozitive për ndeshjen e kthimit”.

Gabimet

“Duke pasur lojtarë të rinj edhe gabimet janë evidente. Dua që lojtarët të japin më të mirën për veten e vet, në mënyrë që të kenë vazhdimësi dhe të rriten edhe më shumë. Por, janë të rinj dhe është risku im që ndodhin këto gabime. Kështu është futbolli, duhet t’u japim besim dhe t’i përkrahim dhe jo t’i godasim. Ndonëse për një gabim ikën dëm ndeshja apo dhe sezoni. Mbrojtja dhe portieri duhet që të jenë shumë vigjilentë sepse gabimet aty kushtojnë shtrenjtë. Largimi i Halitit na ka prishur punë, kemi Gabën dhe Pëllumbin që janë të rinj dhe shpresoj t’i fitojmë gradualisht”.

Kualifikimi

“Sigurisht që duke pasur parasysh që goli në fushën kundërshtare të ndihmon, mendoj se shanset janë të barabarta. Duhet të shohim përpara dhe duhet që të mësojmë lojtarët që të mos gabojnë në vijim”.

Flamurtari

Shehi foli edhe për ndeshjen e radhës në kampionat me Flamurtarin, ku synon marrjen e 3 pikëve. Ndër të tjera, trajneri Shehi tha se kjo do të jetë ndeshja ku duhet të përqendrohet ai dhe skuadra: “Kemi përballë Flamurtarin, një ekip mjaft të mirë dhe duhet që të mendojmë të bëjmë kthesën duke mos gabuar si në Kupë. Të kalojmë Flamurtarin dhe pastaj të mendojmë për kualifikimin”, – tha trajneri Shehi i korçarëve.

E.S./Vipsport.al/