Sezoni i dështuar, Dibala: Vuaj edhe më shumë si kapiten

Pa dyshim ky pritej të ishte sezoni në të cilin Paulo Dibala do të konfirmonte cilësitë e tij dhe do të bënte një hap gjigand kualitativ. Në krah do të kishte Kristiano Ronaldon dhe sëbashku me portugezin do të shfaqte potencialin e plotë.

Kjo ishte pritshmëria e fillim sezonit teksa me kalimin e kohës argjentinasi u shndërrua në një lojtar stoli. Ndeshje jo të mira, gola me pakicë, ndryshimi i pozicionit dhe marrëdhënie gjithnjë e komplikuar me Alegrin shkaktuan një rënie të pashpjegueshme të numrit 10. Edhe në ndeshjen e fundit të Ligës së Kampionëve, Dibala ishte hedhur në fushë nga minuta e parë dhe me shiritin e kapitenit, ndërsa shpresat që të tregonte vlerat në një sfidë të rëndësishme ishin të mëdha.

Por, shpejt u kuptua se do të ishte ndeshja e radhës zhgënjyese nga 25-vjeçari, i cili më pas në pjesën e dytë u zëvendësua për shkak dëmtimi. Tashmë, pasiguria është shtuar dhe Dibala nuk është i sigurt nëse do të qëndrojë ende te Juventus apo, ofertat për sulmuesin nuk mungojnë, megjithatë, vetë Dibala ka reaguar në Facebook, teksa është shprehur se: “Kapitenët në të tilla situata vuajnë më shumë. Por, i kalojnë ashtu në heshtje. Dhimbja do të ikë, por bukuria e këtij sporti është se gjithnjë vjen një trofe tjetër, një sezon tjetër, ecim përpara”, përfundoi Dibala. Megjithatë, edhe pas këtij reagimi e ardhmja e Dibalës mbetet në pikëpyetje për faktin e marrëdhënieve jo të mira me Alegrin.

/Egi Çabeli-VipSport.al/