Rroca karikon Kukësin: Ndeshja me Flamurtarin ndër më të mirat, të blindojmë vendin e dytë!

Pas humbjes me Flamurtarin në Elbasan, Kukësi synon vetëm fitoren në ndeshjen me Tiranën për të mos rrezikuar vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. Mesfushori Eduard Rroca mendon se ndeshja ndaj Flamurtarit ishte ndër më të mirat që Kukësi ka zhvilluar, por nuk pati fat. Ai beson se me Tiranën do të jetë një tjetër histori:

“Ndeshja me Flamurtarin ishte një ndër ndeshjet më të mira që kemi bërë deri tani. Të krijosh aq shumë raste për 30 minuta lojë, do të thotë se loja ishte e mirë, por nuk patëm fat që të merrnim pikë. Ne shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të fitojmë ndeshjen e radhës me Tiranën. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, sepse të dy ekipet kërkojnë fitoren. Kukësit i duhet fitorja për të blinduar vendin e dytë, kurse Tirana kërkon trepikëshin për objektivin e saj.

Titulli? Ne e kemi deklaruar prej kohësh se titulli ka qenë një objektiv i klubit, kështu që vazhdojmë ta kemi si objektiv përderisa matematika na mban në lojë. Do të luftojmë deri në fund”, – tha për “RTSH Sport” mesfushori i Kukësit, Eduard Rroca. / Vipsport.al